Një person në Gjilan ka pësuar lëndime të rënda, pasi dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimor ku po punonte.
Lajmin e ka bërë të ditur për zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se sipas informacioneve fillestare në orët e pasdites së ditës së premte 24.10.2025, një punëtor, nga fshati Kabash KK-Viti i cili kishte qenë duke punuar në një objekt ndërtimor në Gjilan , dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë (6) i ndërtesës. Dyshimet e para janë se i njëjti ka rënë aksidentalisht gjatë kohës që po punonte. Si pasojë e rënies ai ka pësuar lëndime të rënda trupore”, bëri të ditur Hashani.
I lënduari është dërguar me urgjencë në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan. Sipas mjekut kujdestar, për shkak të lëndimeve të rënda, i njëjti është transferuar menjëherë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Derisa sipas Hashant, në vendngjarje kanë dalë të gjitha ekipet e nevojshme policore , si dhe njësitet përkatëse të hetimeve rajonale, dhe për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar rrethanat e plota të rastit.







