Këngëtarja amerikane Lizzo po përballet me një padi të re nga GRC Trust, e cila e akuzon atë për përdorim të paautorizuar të një mostre muzikore nga kënga e viteve ’70 “Win or Lose (We Tried)”. Sipas dokumenteve ligjore, pjesa është përdorur në një projekt muzikor ende të papublikuar, i cili u bë viral në rrjetet sociale gjatë muajit gusht.
Padia është depozituar në Kaliforni, pasi Lizzo kishte ndarë një klip 13-sekondësh të këngës në Instagram dhe TikTok, që tërhoqi vëmendje të madhe për shkak se në tekst përmendej aktorja Sydney Sweeney dhe bashkëpunimi i saj me markën American Eagle.
Përfaqësuesit e GRC-së pretendojnë se kanë tentuar të zgjidhin çështjen në mënyrë miqësore, por pa arritur marrëveshje.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lizzo-s është shprehur i befasuar nga padia, duke theksuar se “kënga nuk është publikuar kurrë komercialisht dhe nuk është gjeneruar asnjë fitim prej saj”. Ai shtoi gjithashtu se ende nuk është marrë një vendim për publikimin e mundshëm të këngës në të ardhmen.
Kjo nuk është hera e parë që Lizzo përfshihet në konteste ligjore për të drejta autori. Në vitin 2019, ajo u padit nga tre producentë për hitin “Truth Hurts”, ndërsa artistja Mina Lioness e akuzoi për përdorimin e frazës virale “I just took a DNA test, turns out I’m 100%…” nga një postim i saj në rrjete sociale. Më vonë, Lizzo e njohu Lioness si bashkautore të këngës.