Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për ta përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Lajmin e ka bërë të ditur MPJD përmes një komunikate për media.
“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sot, më 21 tetor 2025, në orën 10:00 sipas kohës lokale në Nju Jork (16:00 në Kosovë)”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim thuhet se Gërvalla do të raportojë për punën e institucioneve, rezultatet, sfidat dhe prioritetet e reformave gjithëpërfshirëse, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, performancës ekonomike dhe fuqizimit institucional.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK) do të mbahet këtë të martë (21 tetor) në New York të Shteteve të Bashkuara.
Zëvendës Përfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Dongjoon Shin, do të paraqesë raportin e UNMIK-ut para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit – seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën u mbajt më 8 prill.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm thekson se progresi në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë i kufizuar, ndërsa tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të jenë të larta.
Raporti i UNMIK-ut trajton gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht mbylljen e institucioneve paralele serbe, krahas zhvillimeve politike pas zgjedhje nacionale në shkurt, duke përfshirë ngërçin në Kuvendin e Kosovës.