Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për protestën e sotme në Tiranë, ku shumë qytetarë u mblodhën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Media prestigjioze “The Washington Post” shkruan se shqiptarët u mblodhën në sheshin qendror të vendit, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.
“Protestues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — një ish-grup guerrilësh shqiptarë të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi”, thuhet në shkrim.
Po ashtu, media “The Telegraph” shkruan se mijëra shqiptarë ishin në protestë në sheshin “Skënderbej”.
“Veteranët e luftës së Kosovës dhe mijëra mbështetës të tyre u mblodhën të premten në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në një protestë kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila po ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që luftuan në luftën e viteve 1998-1999 për pavarësinë nga Serbia, duke pretenduar se tribunali është i njëanshëm dhe i padrejtë”, thuhet në shkrimin e The Telegraph.
Ndërsa, “Anadolu” shkruan se në kryeqytetin e Shqipërisë u mbajt protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton “Unë jam UÇK”.
“Në Shqipëri është mbajtur një protestë kombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me moton “Unë jam UÇK”, raporton Anadolu.
Kujtojmë se mijëra shqiptarë, nga të gjitha trojet shqip-folëse, ishin sot në sheshin “Skënderbej”, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, që mbahen në Hagë.