Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mbërritur sot në Tiranë për t’u bashkuar me protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, e cila synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Para fillimit të protestës, Ahmeti u prit nga presidenti shqiptar Bajram Begaj në një takim që ai e përshkroi si të ngrohtë dhe vëllazëror.
Sipas Ahmetit, në bisedë u fokusuan zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.
“E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.
Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Në takim theksuam gjithashtu rëndësinë e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt,” shkroi Ahmeti në Facebook.