Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.
Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.
“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.
Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.
Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.
“Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi