Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ishte mysafir special në Kosovë javën e kaluar, ku u prit nga udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe sportit. Me këtë rast, ai u dekorua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Pas ceremonisë, Infantino dha një intervistë ekskluzive për podcastin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në futbollin ndërkombëtar, sfidat dhe të ardhmen e këtij sporti në vend.
Një nga temat që ai preku ishte edhe mungesa e disa futbollistëve me prejardhje nga Kosova në ekipin kombëtar, si pasojë e mospranimit të hershëm të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
“Për shumë lojtarë nga Kosova që kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime dhe histori të ndryshme,” tha Infantino.
“Siç e dimë, shumë prej tyre, në kohën kur Kosova ende nuk ishte pranuar ndërkombëtarisht, luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës – për shembull Xherdan Shaqiri dhe të tjerë. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që do të kishin luajtur për Kosovën, por fatkeqësisht në atë kohë kjo nuk ishte e mundur.”
Sipas tij, ndonëse nuk patën mundësinë të veshin fanellën dardane, këta lojtarë vazhdojnë të ndiejnë lidhje të fortë me vendin e prejardhjes.
“Të gjithë këta lojtarë ndiejnë shumë për Kosovën. Prindërit e tyre janë detyruar të largohen nga vendi dhe të ndërtojnë jetë tjetër jashtë. Por ata janë rritur me rrënjët e Kosovës,” theksoi presidenti i FIFA-s. /ATVLIVE.TV