Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Piqué, ka rikujtuar edhe një herë publikisht rivalitetin e zjarrtë mes dy klubeve më të mëdha spanjolle, Barcelonës dhe Real Madridit. Në një deklaratë drejtuar ish-mbrojtësit madrilen Marcelo, Piqué ka pranuar pa hezitim se humbjet e Real Madridit i ka festuar po aq fort sa fitoret e skuadrës së tij.
“Më kujtohet që i festoja humbjet e Real Madridit njësoj si fitoret e Barcelonës,” i tha Piqué Marcelo-s, duke buzëqeshur, në një bisedë që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.
Deklarata, edhe pse e thënë në një ton miqësor, ka rikthyer tensionin klasik që ka karakterizuar për dekada “El Clásico-n” dhe raportet mes lojtarëve të dy ekipeve. Piqué, i njohur për deklaratat e tij thumbuese ndaj Real Madridit gjatë gjithë karrierës, ka qenë gjithnjë një figurë që ka përçuar emocion dhe ndarje të forta në kampin spanjoll.
Marcelo, nga ana e tij, e priti me sportivitet komentin, duke buzëqeshur, megjithëse reagimet e tifozëve të Realit në rrjet nuk munguan.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur ish-lojtarët e “El Clásico”-s po shfaqen gjithnjë e më shumë në media me rrëfime prapa skenave të viteve të lavdishme të futbollit spanjoll. Me sa duket, rivaliteti Barça–Real nuk shuhet as pas tërheqjes nga futbolli profesionist.