Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse kundër Izraelit në stadiumin “Friuli”. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai vlerësoi përkushtimin dhe mentalitetin e lojtarëve.
“Në momentet kur ata nisnin aksionet nga prapa, ne reaguam menjëherë me markim dhe më pas u organizuam si repart. Më pëlqeu shumë mënyra si u soll ekipi. Jam i kënaqur me punën e sulmuesve, jo vetëm për 16 golat e shënuar, por edhe për angazhimin në fazën mbrojtëse dhe mentalitetin e tyre. Ndaj Izraelit kemi ditur të vuajmë kur ishte e nevojshme”, u shpreh Gattuso.
Lidhur me ndeshjet e “play off”-it, tekniku theksoi se skuadra nuk duhet të bjerë në kurthin e vetëkënaqësisë:
“Si mund të nënvlerësosh dikë? Duhet të vëmë helmetat dhe të punojmë me përkushtim. Nuk ka vend për gabime në këtë fazë.”
Ai komentoi edhe sistemin e lojës, duke nënvizuar se skuadra ndihet më komode me dy sulmues:
“Luajmë më mirë me dy sulmues, por kjo nuk do të thotë se Raspadori luajti keq. Ka vend për të gjithë, dhe në nëntor do të provojmë disa risi në formacion.”
Gattuso nuk harroi të përgëzojë tifozët për mbështetjen e tyre të zjarrtë në stadium:
“10 mijë tifozë sot vlejnë sa 40 mijë. E ndjejmë që populli italian dëshiron të na shohë në Botëror.”
Në fund, trajneri foli hapur për pritshmëritë e tij personale dhe të ardhmen:
“Nëse nuk kualifikohemi në Botëror, do të largohem. Do të shkoj të jetoj shumë larg Italisë. Kam pak merita, por kjo skuadër po më bën të ëndërroj”, përfundoi Gattuso. /ATVLIVE.TV