Kombëtarja e Japonisë ka arritur një fitore historike ndaj Brazilit, duke triumfuar me rezultat 3:2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin kombëtar të Tokios.
Pjesa e parë foli për skuadrën e Carlo Ancelottit, e cila dominoi dhe shënoi dy herë. Paulo Henrique dhe Gabriel Martinelli realizuan për Brazilin, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 0:2.
Por pjesa e dytë solli një rikthim të madh për Japoninë. Në minutën e 52-të, Takumi Minamino shkurtoi diferencën me një gol të bukur, ndërsa në të 61-tën Nakamura barazoi rezultatin. Përmbysja u vulos në minutën e 71-të nga Ueda, i cili realizoi golin e tretë dhe të fitores për “Samurajët Blu”.
Kjo ishte fitorja e parë ndonjëherë e Japonisë ndaj Brazilit, pas 14 përballjesh të mëparshme pa sukses. Ndeshja konsiderohet një moment historik për futbollin japonez, që po tregon rritje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.
Për Brazilin, humbja vjen si një goditje në prag të përgatitjeve për sfidat zyrtare, ndërsa për Japoninë, kjo fitore do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve vendas.