Tre oficerë të policisë kanë humbur jetën dhe të paktën 15 persona të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm gazi, që dyshohet se është shkaktuar qëllimisht, në një shtëpi në Italinë veriore.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë pranë Veronës, në momentin kur policia dhe zjarrfikësit kishin hyrë në shtëpi për të zbatuar një urdhër dëbimi ndaj dy vëllezërve dhe një motre.
Sipas raportimeve të BBC-së, tre viktimat që kanë ndërruar jetë ishin pjesëtarë të policisë ushtarake italiane, Karabinierët.
Një burrë dhe një grua janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa një tjetër burrë që kishte ikur pas shpërthimit është kapur pak më vonë. Të tre janë dërguar në spital për trajtim.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa është dëgjuar deri në 5 kilometra larg, ndërsa imazhet nga vendi i ngjarjes tregonin shtëpinë të shndërruar plotësisht në rrënoja.
Kreu i rajonit të Venetos, Luca Zaia, ka bërë të ditur se urdhri i dëbimit ndaj tre personave ishte lëshuar për shkak të borxheve të shumta që ata kishin grumbulluar.
Mediat italiane raportojnë se në vendngjarje ishin dërguar edhe ndërmjetësues për të biseduar me familjarët e bllokuar në shtëpi. Megjithatë, në momentin që karabinierët hynë brenda, dyshohet se njëri prej tyre ndezi bombolën e gazit që çoi në shpërthimin tragjik.
“Me të hyrë në shtëpi, u përballëm me një akt çmendurie absolute,” ka deklaruar komandanti i policisë provinciale, Claudio Papagno, për agjencinë e lajmeve Ansa.
“Një bombol gazi ishte ndezur dhe shpërthimi goditi drejtpërdrejt oficerët tanë,” ka shtuar ai.
Sipas Ansa-s, në mesin e të plagosurve janë 11 karabinierë, tre oficerë të policisë shtetërore dhe një zjarrfikës.