Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë komente të hapura për futbollistët shqiptarë, duke shprehur një lloj xhelozie për nivelin e tyre dhe duke vënë në pah mungesën e talenteve të ngjashme në skuadrën serbe.
Në një intervistë të fundit, Vuçiç tha:
“Jam xheloz me futbollistët shqiptarë. Ne nuk kemi lojtarë që luajnë aty rregullisht. Kemi vetëm Stankoviqin, djalin e Dejanit, se këtij të birit nuk ia di emrin. Kurse shqiptarët kanë lojtarë që luajnë te Lazio (Hysaj), kanë lojtarë që luajnë te Atalanta (Gjimshiti) dhe janë lojtarë që kanë peshë aty. Ne s’kemi për momentin.”
Këto komente u bënë pas humbjes së Serbisë ndaj Shqipërisë dhe janë pjesë e analizës së Vuçiçit për gjendjen e futbollit në vendin e tij. Ai theksoi se për të arritur sukses, Serbia ka nevojë për lojtarë që luajnë rregullisht në nivele të larta, si në Ligën e Kampionëve, gjë që aktualisht mungon.
Deklaratat e Vuçiçit kanë shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe mediat, duke nxitur debat për zhvillimin e futbollit në Ballkan dhe konkurrencën sportive ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.