Nëse preferoni ta nisni ditën me një pije të freskët në vend të ushqimit, ndoshta shpesh ndodheni përballë dilemës: lëng portokalli apo qumësht?
Të dyja kanë vlerat e tyre ushqyese, por edhe anët që duhen pasur kujdes. Më poshtë gjeni këshillat që rekomandon AgroWeb.org.
Lëngu i portokallit
Avantazhet
Një gotë me lëng portokalli të freskët përmban rreth 110 kalori dhe siguron dozën e plotë ditore të vitaminës C.
Kjo vitaminë është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga dielli, ndotja dhe plakja e parakohshme.
Çfarë duhet të keni kujdes
Nëse e teproni me konsumimin e lëngut të portokallit, aciditeti i lartë mund të dëmtojë enamelin e dhëmbëve.
Ekspertët theksojnë se konsumimi i përditshëm për disa ditë rresht mund të ulë fortësinë e dhëmbëve deri në 84%.
Pijet energjike dhe ato të gazuara kanë efekt edhe më të dëmshëm për shkak të përmbajtjes më të lartë të acidit.
Qumështi
Avantazhet
Një gotë qumësht siguron 20% të nevojës ditore për proteina dhe rreth gjysmën e sasisë së kalciumit që i duhet trupit çdo ditë.
Studimet tregojnë se personat që pinë qumësht në mëngjes kanë më pak oreks në vaktet pasuese, falë efektit ngopës të proteinave dhe ndikimit të kalciumit në rregullimin e hormoneve që kontrollojnë peshën trupore.
Çfarë duhet të keni kujdes
Yndyrnat e ngopura që gjenden tek qumështi i plotë mund të rrisin rrezikun për probleme kardiovaskulare dhe mbipeshë.
Përveç kësaj, qumështi jo-organik shpesh vjen nga kafshë të trajtuara me antibiotikë dhe hormone, çka ul cilësinë ushqyese dhe ndikon negativisht në mjedis.
Cila është zgjedhja më e mirë?
Nëse duhet të zgjidhni vetëm një, qumështi organik është alternativa më e shëndetshme për mëngjes.
Ai është miqësor me dhëmbët, falë përmbajtjes së kalciumit, dhe ofron antioksidantë të ngjashëm me ata të lëngut të portokallit.
Qumështi organik përmban:
75% më shumë beta-karoten
50% më shumë vitaminë E, që ndihmon në parandalimin e tumoreve dhe sëmundjeve të zemrës
70% më shumë acide yndyrore omega-3, që janë thelbësore për shëndetin e zemrës dhe trurit
Kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë plotësisht nga lëngu i portokallit — thjesht mos e pini në mëngjes me stomak bosh.
Zgjidhja më e mirë është ta konsumoni portokallin si frut, për të përfituar edhe nga fibrat natyrale që mungojnë në lëng.
Këshillë: Pas konsumimit të lëngut të portokallit, shpëlani gojën me ujë për të mbrojtur dhëmbët nga aciditeti.