Qeveria e Izraelit e ka ratifikuar mëngjesin e së premtes një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Gazë brenda 24 orëve dhe lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze brenda 72 orëve.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Kabineti izraelit e miratoi marrëveshjen rreth 24 orë pasi ndërmjetësit njoftuan arritjen e saj. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e tërheqjes graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gazë.
“Qeveria sapo ka miratuar kuadrin për lirimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në ‘X’, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Lufta në Gazë e ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe ka tronditur Lindjen e Mesme, duke u shndërruar në konflikt rajonal që ka përfshirë Iranin, Jemenin dhe Libanin. Ajo gjithashtu ka vënë në provë marrëdhëniet SHBA-Izrael, pasi Trumpi duket se ka humbur durimin me Netanyahun dhe e ka shtyrë atë të arrijë marrëveshje.
Izraelitët dhe palestinezët shprehën ngazëllim të madh pas njoftimit të marrëveshjes, e cila është hapi më i madh deri tani drejt përfundimit të një lufte dyvjeçare që ka lënë mbi 67.000 palestinezë të vrarë, si dhe për kthimin e pengjeve të fundit që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmeve vdekjeprurëse në Izrael që ndezën luftën.
Shefi i Hamasit për Gazën, i cili jeton në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha se ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetës të tjerë se lufta ka përfunduar.
Një zëdhënës i Qeverisë izraelite deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve nga miratimi i marrëveshjes. Pas këtij afati 24-orësh, pengjet e mbajtura në Gazë do të lirohen brenda 72 orëve.
Besohen 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 26 të tjera mendohet se kanë vdekur, dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur.
Hamasi ka thënë se tërheqja e trupave të të vdekurve mund të zgjasë më shumë se lirimi i të gjallëve./REL