Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini gjatë një vizite në lagjen Taukbashqe ka diskutuar me banorët për mungesën e ndriçimit, gjendjen e rrugëve dhe hapësirat publike të lëna pas dore. Sipas saj, Prishtina ka potencial të jashtëzakonshëm, por kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe planifikim të përgjegjshëm urban.
Shahini që ka nisur një peticion për banim të lirë ka falenderuar qytetarët që u ndaluan për të nënshkruar dhe për t’u informuar mbi banesat e zbrazëta.
Qëndron Kastrati, kandidat për kryetar të Kamenicës ka shprehur mirënjohjen për punëtorët shëndetësorë të komunës, veçanërisht për përkushtimin e tyre gjatë pandemisë, duke premtuar përkrahje dhe kushte më të mira për këtë sektor.
Në një tjetër video – incizim të mërkurën, Kastrati ka prezantuar projektin për ndërtimin e një parku të madh në zemër të qytetit, me liqen dhe hapësira relaksuese, që synon të transformojë Kamenicën në një destinacion turistik.