Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, kandidat për një mandat të dytë, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen me Pallatin e Rinisë, ku janë siguruar hapësira për Galerinë e Artit, E-sportin dhe ICK-në, sic tha ai për të kthyer identitetin e Prishtinës së vjetër, duke e ndërlidhur me ritmin dhe energjinë e Prishtinës së sotme.
Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli gjatë vizitës në Velikinicë, u zotua për modernizim të shërbimeve komunale dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.
Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli ka premtuar që me LDK-në në pushtet, Stantergu do të kthehet në qendër turistike dhe zhvillimore, në nderim të historisë dhe kontributit të punëtorëve të saj.
Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti, kandidat për mandat të ri, ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për gratë ndërmarrëse.
Në Pejë, kandidati Gazmend Muhaxhiri ka prezantuar vizionin e tij “Peja 4.0”, i cili parasheh zhvillim të mëtejshëm të qytetit përmes inovacionit, bashkëpunimit me qytetarët të ndërtuar mbi përvojën e fituar gjatë tri mandateve të mëparshme.
Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar planin e tij për katër vite zhvillimi, që përfshin sigurimin e ujit 24 orë, përmirësimin e arsimit, transparencë në qeverisje dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.
Në Viti, kryetari aktual Sokol Haliti ka prezantuar projektet e realizuara gjatë mandatit të tij, duke u zotuar për vazhdimin e punës me përkushtim dhe përgjegjësi në shërbim të komunitetit.
Ndërsa në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri ka premtuar mbështetje konkrete për bizneset e udhëhequra nga gratë, duke ndarë 500 mijë euro nga buxheti komunal për punësimin e grave dhe zhvillimin e bizneseve të tyre.