Ylli argjentinas Lionel Messi i ka dedikuar një mesazh emocional mikut të tij të ngushtë dhe ish-bashkëlojtarit Jordi Alba, pas vendimit të këtij të fundit për t’i dhënë fund karrierës si futbollist profesionist.
Në një postim në rrjetet sociale, Messi shprehu mallin dhe mirënjohjen për vitet e përbashkëta që ndanë në fushë:
“Do të jetë e çuditshme për mua të shikoj majtas dhe të mos të shoh atje… Do të më mungosh shumë. Është çmenduri sa shumë asistime më ke dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.”
Messi dhe Alba kanë ndarë një miqësi të fortë dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ata ndërtuan një partneritet të paharrueshëm te Barcelona, ku fituan gjithçka së bashku, dhe më pas u ribashkuan në Inter Miami, përkrah Sergio Busquets dhe Luis Suárez.
Jordi Alba, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të gjeneratës së tij, ka lënë pas një karrierë të mbushur me trofe dhe momente të paharrueshme, si me Barcelonën, ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës.
Tërheqja e tij vjen vetëm pak ditë pas largimit nga futbolli të një tjetër legjende blaugrana, Sergio Busquets, duke shënuar kështu fundin e një epoke të artë për ish-yjet e mëdhenj të Barcelonës.







