Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përballet me presion të madh për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare ose për të dhënë dorëheqje, pasi ish-aleatët e tij po i bashkohen kundërshtarëve duke kërkuar që ai të veprojë për t’i dhënë fund krizës politike në rritje në vend, raporton të mërkurën “The Guardian”.
Kryeministri i parë gjatë mandatit të Macronit, Edouard Philippe, i kërkoi të martën atij të japë dorëheqje, mes shqetësimeve për periudhën më të vështirë të kaosit politik në Francë që nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.
Philippe, që ka shërbyer si kryeministër nga viti 2017 deri në 2020 dhe tani udhëheq një parti aleate me Macronin, tha se presidenti duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme presidenciale sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.
“Nuk do ta zgjasim atë që kemi përjetuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Edhe 18 muaj të tjerë janë shumë të gjatë dhe po dëmtojnë Francën. Loja politike që po luajmë sot është shqetësuese”, ka deklaruar Philippe.
Edhe Gabriel Attal – mandati i shkurtër i të cilit si kryeministri më i ri në historinë e Francës përfundoi vitin e kaluar, kur Macroni shpalli zgjedhjet e parakohshme – tha se nuk i kuptonte më vendimet e presidentit.
Attal, i cili tani drejton partinë kryesore pro-Macron, u tha mediave franceze se, pasi Franca ka kaluar përmes pesë kryeministrave në më pak se dy vjet, është koha për të provuar diçka tjetër, duke kritikuar atë që e quajti “vendosmëri e Macronit për të mbajtur kontrollin”.
Thirrjet për dorëheqje apo zgjedhje të reja erdhën pasi kryeministri në largim, Sebastien Lecornu – i emëruar vetëm 28 ditë më parë – dha dorëheqjen të hënën së bashku me kabinetin e tij 14-orësh. Megjithatë, Macroni i kërkoi atij të zhvillojë bisedime të fundit me udhëheqësit e partive për të siguruar mbështetje.
Franca ka qenë në krizë politike për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e vitit 2024 – të thirrura në përgjigje të sukseseve të ekstremit të djathtë në zgjedhjet parlamentare evropiane – të cilat prodhuan një parlament të ndarë mes tre blloqeve pothuajse të barabarta: të majtës, ekstremit të djathtë dhe aleancës së qendrës së djathtë të Macronit, pa asnjë shumicë.
Ndër opsionet e mundshme, Macroni mund të riemërojë Lecornun, të zgjedhë një kryeministër tjetër të ri – i cili do të ishte i teti në radhë – ose të shpërndajë sërish parlamentin dhe të mbajë zgjedhje të reja parlamentare.





