Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s – një prej organeve më të rëndësishme të organizatës botërore të futbollit.
Ky emërim përbën një arritje të madhe për futbollin kosovar dhe një njohje ndërkombëtare të kontributit të vazhdueshëm të presidentit Ademi në zhvillimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën globale të sportit.
Komiteti për Marrëdhënie Institucionale luan një rol thelbësor në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të FIFA-s me institucionet më të larta ndërkombëtare, si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB), UNESCO, UNICEF, si dhe organizata të tjera qeveritare e joqeveritare në mbarë botën.
Përmes këtij komiteti, FIFA promovon vlera universale të futbollit si përfshirja, barazia, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm përmes sportit.
Ademi e cilësoi këtë zgjedhje si një nder të madh dhe përgjegjësi të veçantë, duke theksuar se ky është një sukses i përbashkët për gjithë futbollin kosovar:
“Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare.”
Ky rol i ri pritet të forcojë më tej pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi për sportin vendas.
Kujtojmë se Agim Ademi është gjithashtu anëtar i Komitetit HatTrick të UEFA-s, një tjetër strukturë e rëndësishme e futbollit evropian.






