Në Kosovë, çmimet e qirave kanë marrë hov sikur po garojnë kush mbrrin i pari në qiell. Sidomos në Prishtinë aty ku dikur e gjeje një garsoniere për 150 euro, sot s’e merr dot as për 300. Po deshe me pas një banesë me dritare, ngrohje që s’rrjedh dhe ndonjë mobilje që s’është trashëgimi familjare, përgatitu për 400-500 euro, lehtë.
E studentët po e vuajnë më së shumti këtë situatë. Shumë prej tyre po ndajnë banesa me tre-katër shokë, e dushin po e caktojnë me orar si autobusi urban. Ka prej atyre që thonë “më lehtë po gjendet temë diplome sesa banesë me qira në Prishtinë.” Dhe e kanë të drejtë! Sipas disa agjencive, qiratë në Kosovë janë rritur mbi 25% këtë vit, e në qytete si Prizreni dhe Peja trendi po ndjek të njëjtën rrugë.
Në Evropë, situata s’është aspak më e lehtë. Sipas Deloitte Property Index 2025, Luksemburgu mban vendin e parë për qiratë më të shtrenjta mbi 3,000 euro në muaj për një apartament normal.
Pas tij vijnë Zurich, Oslo, dhe Dublin, ku njerëzit paguajnë aq shumë, sa me ato para mund të kishin blerë një makinë çdo dy muaj.
Por ja lajmi që të bën me buzëqesh, Durrësi në Shqipëri është qyteti më i lirë për qira në Evropë! Po pra Durrësi! Me 250-400 euro në muaj, ke detin, diellin dhe ndoshta një apartament me pamje nga Adriatiku (nëse s’e pengon ndonjë pallat i sapo ndërtuar përpara).
Pra, ndërsa evropianët po paguajnë për qira sikur po jetojnë në hotel me pesë yje, ne në Kosovë po përpiqemi thjesht të gjejmë një banesë që s’na ha krejt bursën.
Po nejse për sa kohë ka humor, shokë të mirë dhe ndonjë burek me jogurt në mëngjes, ia dalim!