Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, është shprehur optimist përballë sfidës ndaj Serbisë, duke theksuar se skuadra është e përgatitur dhe ka besim në potencialin e saj, edhe pse ndeshja pritet të jetë shumë e vështirë.
Në një intervistë për “TV Klan”, tekniku brazilian u ndal te rëndësia e përballjes që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovc, duke e cilësuar atë si një moment kyç në rrugëtimin drejt play-offit të Kupës së Botës.
“Kualifikueset për Botërorin nuk janë kurrë të lehta. Edhe ndeshja ndaj Letonisë kërkoi shumë energji. Serbia është një kundërshtar i fortë, por ne kemi lojtarë cilësorë që japin maksimumin. Pres një sfidë të fortë dhe emocionuese në aspektin sportiv,” – u shpreh Sylvinho.
Trajneri theksoi rëndësinë e përgatitjes dhe analizës për këtë takim, duke shtuar se skuadra ka kohën e nevojshme për të qenë gati.
“Nuk është thjesht një ndeshje – është një duel me peshë të madhe për kualifikimin. Do të përgatitemi mirë, kemi pesë deri në gjashtë ditë për të punuar me grupin. Kam besim te këta lojtarë, e ndiej që janë të përkushtuar dhe të bashkuar.”
Në fund, Sylvinho ndau edhe një dëshirë personale:
“Ëndërroj të kualifikohem me Shqipërinë në Kupën e Botës dhe një ditë të fitoj Ligën e Kampionëve me një klub.”
Kujtojmë, se përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 11 tetor. /ATVLIVE.TV