Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ku një person ka humbur jetën. Ngjarja tragjike përfshiu një përplasje mes një veture dhe një traktori, ku lëndime fatale pësoi drejtuesi i mjetit bujqësor.
Sipas Policisë, viktima fillimisht kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për tretman mjekësor pas aksidentit që ndodhi rreth orës 16:20.
Megjithatë, disa orë më vonë, rreth orës 22:50, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njoftoi se viktima nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të marra.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i veturës është dërguar në mbajtje.





