Pas një shtatori të mbushur me emocione, tetori pritet të jetë po aq intensiv për të gjitha kombëtaret shqiptare – nga Kombëtarja A, te ekipet e moshave dhe përfaqësueset e vajzave.
Kombëtarja A do të zbresë në fushë më 11 tetor për sfidën ndaj Serbisë në Leskovac, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2026. Tre ditë më vonë, më 14 tetor, kuqezinjtë do të rikthehen në “Air Albania” për miqësoren ndaj Jordanisë.
Kombëtarja A e vajzave ka përpara një muaj vendimtar me dy përballje ndaj Qipros, që do të përcaktojnë fatin e saj në Ligën e Kombeve për sezonin e ardhshëm, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.
Kombëtarja U-21 do të luajë më 10 tetor në “Air Albania” ndaj San Marinos, ndërsa ekipet U-19 dhe U-17 do të zhvillojnë miqësore përgatitore përkatësisht ndaj Irlandës dhe Sllovenisë.
Tetori do të shënojë gjithashtu nisjen e dy eventeve madhore të organizuara nga FSHF në Shqipëri: faza kualifikuese e UEFA European Women’s Under-17 Championship dhe UEFA Development Tournament U-15.
Vajzat U-17 do të përballen me Greqinë, Izraelin dhe Estoninë në Elbasan dhe Rrogozhinë, ndërsa djemtë U-15 do të sfidojnë Armeninë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Një muaj i mbushur me futboll, emocione dhe përfaqësim dinjitoz kuqezi – për t’u ndjekur dhe për t’u mbështetur. /ATVLIVE.TV