Anthony Davis, një nga basketbollistët më të njohur të NBA-së, do të jetë i detyruar të mbajë syze mbrojtëse në çdo ndeshje deri në fund të karrierës së tij.
Ky vendim vjen pas një operacioni që lojtari iu nënshtrua për shkëputjen e retinës, ndërsa mjekët i kanë rekomanduar përdorimin e syzeve për të mbrojtur shikimin.
Në ditën mediatike të Mavericks, Davis u shfaq me sy të skuqur, efekt nga pikat e syve që duhet të përdorë pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Vetë lojtari ka pranuar se tashmë do të duket në parket si ish-ylli i NBA-së, Horace Grant, i cili gjithashtu mbahej mend për syzet e tij. Në histori, syze kanë mbajtur edhe legjenda të basketbollit si Kareem Abdul-Jabbar dhe Amar’e Stoudemire.
Davis më herët kishte përdorur syze me recetë gjatë fëmijërisë dhe për tre vite në shkollë të mesme, përpara se të kalonte në lente kontakti. Megjithatë, në NBA ai gjithmonë kishte refuzuar t’i mbante, derisa tashmë kjo është bërë një domosdoshmëri.