FIFA ka marrë vendimin përfundimtar sa i përket pranisë së tifozëve në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Komisioni Disiplinor i shtëpisë botërore të futbollit ka vendosur të ndëshkojë Federatën Serbe të Futbollit me mbylljen e pjesshme të stadiumit të Leskovcit, ku do të luhet kjo ndeshje. Vendimi vjen si pasojë e incidenteve dhe trazirave të ndodhura në Beograd muajin e kaluar, gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Anglisë.
Sipas raportimeve të mediumit serb “Sportklub”, në këtë përballje do të lejohen vetëm 6,500 tifozë, nga gjithsej 8,136 vende që ka stadiumi i Leskovcit – që do të thotë se 20% e kapacitetit do të mbetet i mbyllur për publikun.
Përveç këtij dënimi, Federata Serbe është gjobitur edhe me 80 mijë franga zvicerane.
Fillimisht, ishte vetë Federata Serbe ajo që kishte kërkuar zhvendosjen e ndeshjes nga Beogradi në Leskovc, për shkak të situatës së tensionuar politike dhe protestave të vazhdueshme në kryeqytet.
FIFA gjithashtu e ka paralajmëruar Serbinë për masa më të rënda në rast të ndonjë incidenti tjetër gjatë ndeshjes ndaj Shqipërisë.
Takimi në Leskovc shihet si një ndeshje vendimtare për fatin e të dyja kombëtareve në grup. Në sfidën e parë të zhvilluar në Tiranë, Shqipëria dhe Serbia u ndanë me barazim, ndërsa tani gara për vendin e dytë – që siguron një biletë për në fazën “play-off” – është më e hapur se kurrë. /ATVLIVE.TV