Bernardo Silva ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Manchester Cityn dhe gjithçka tregon se ky mund të jetë sezoni i fundit i mesfushorit portugez me kampionët e Anglisë.
Pas një dekade të lavdishme në futbollin evropian dhe një roli të pazëvendësueshëm në sukseset e Cityt, 31-vjeçari po shqyrton opsionet e reja për të ardhmen.
Arabia Saudite ka rindezur interesin e madh për Silvën, duke qenë gati t’i ofrojë një kontratë katërvjeçare me kushte të jashtëzakonshme financiare. Bisedimet kanë nisur muaj më parë, dhe shembujt e transferimeve të tjera të bujshme e bëjnë këtë pistë reale.
Nga ana tjetër, Juventusi është duke ndjekur nga afër situatën, duke shpresuar që ta sigurojë lojtarin si agjent të lirë në fund të sezonit. Edhe Barcelona vazhdon të shihet si një opsion i fortë, ndërsa vetë Silva ka shprehur shpesh dëshirën për një rikthim te Benfica, klubi i zemrës së tij.
Manchester City mbetet i ndërgjegjshëm për vlerën e tij në skuadrën e Pep Guardiolës, por gjithnjë e më shumë duket se koha e Bernardo Silvës në Etihad po i afrohet fundit.