Të hënën e 15 shtatorit, një 40 vjeçar vdiq pasi u vra nga kushëriri i tij në Ferizaj.
Ky rast, shënon vrasjen e 14 në Kosovë që nga janari e deri tash.
Në ndërkohë sipas të dhënave të policisë, në periudhën janar 2015 – shtator 2025, 276 qytetarë janë vrarë nga armët.
Shumica prej këtyre vrasjeve sipas autoriteteve, thuhet të kenë ndodhur nga armë ilegale që qytetarët kanë në pronësi.
Megjithatë brenda këtij viti, policia ua ka marrë nga duar qytetarëve plot 1,039 armë ilegale.
Drejtori i përgjithshëm i policisë Gazemnd Hoxha, u bëri thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë apo legalizojnë armët.
‘’Shumë jetë janë humbur për shkak të armëve ilegale. Andaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg armëve ilegale/ ata që janë pasionant të armëve MPB-ja ka rregulluar kuadrin ligjor dhe mund të aplikojnë për licencim’’, tha Hoxha.
Megjithatë juristët vlerësojnë se vetëm thirrjet nuk mjaftojnë.
Sipas Flamur Kabashit nga Insitituti i Kosovës për Drejtësi duhet më shumë angazhim nga policia për t’i çarmatosur qytetarët.
‘’Fakti që kemi raste të shumta të vrasjeve apo tentim vrasjeve është një indikator që duhet të ketë kontrolle më të rrepta nga ana e policisë, aksione, plane operative për kontrollimin e qytetarëve’’, tha Kabashi.
Sipas Kabashit, edhe gjykatat janë fajtore pasi shqiptojnë dënime të lehta për ata qytetarë që mbajnë armë pa leje.
‘’Nga 147 vendime të gjykatës që i kemi analizuar, në 128 vendime është shqiptuar dënimi me gjobë, në 18 dënimi me kusht dhe në vetëm 1 rast është shqiptuar dënimi me burgim edhe pse kjo si vepër penale e parasheh dënimin deri në 5 vjet burg’’, tha Kabashi.
Viti më i përgjakshëm ishte 2018-ta, ku 34 jetë u shuan nga armët.






