Dinamo Zagreb filloi fazën e grupeve të Ligës së Evropës me një fitore të rëndësishme 3-1 në Maksimir ndaj Fenerbahçes.
Blutë kaluan në avantazh në minutën e 21-të falë golit të Dion Belja, por pesë minuta më vonë Sebastian Szymański barazoi rezultatin. Në minutën e 50-të, Belja shënoi sërish për Dinamon me asistencë nga Arbër Hoxha, ndërsa në minutat shtesë, në të 93-tën, Monsef Bakrar vulosi fitoren për ekipin nga Zagrebi.
Në fokus ishte performanca e shkëlqyer e Arbër Hoxhës, i cili jo vetëm asistoi në golin vendimtar, por ndikoi gjithashtu në të gjithë lojën e ekipit. Hoxha dhe Belja u bënë protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje të madhe evropiane.
Media më e madhe kroate, Index.hr, i kushtoi një shkrim të gjatë shqiptarit, duke theksuar formën e tij të lartë dhe rëndësinë që ka marrë në skuadër. Sipas tyre, Hoxha ka qenë vendimtar në dy ndeshjet e fundit të Dinamos, duke siguruar fitore ndaj rivalit të madh Hajduk Split dhe tashmë ndaj Fenerbahçes me një asist.
Sulmuesi 26-vjeçar, i cili në fillim të sezonit konsiderohej si një lojtar i kufizuar nga trajneri Mario Kovačević, mori shansin e tij si titullar në ndeshjen kundër Hajdukut dhe u tregua vendimtar duke shënuar gol. Kundër Fenerbahçes ai shtoi edhe një asist dhe konfirmoi se është anësori i majtë më i fortë i Dinamos aktualisht.
Në këtë ndeshje, Hoxha tregoi një performancë gjithëpërfshirëse duke qenë prezent në çdo pjesë të fushës. Ai fitoi shumë duele, kreu pasime të sakta dhe shfaqi driblimet e tij karakteristike, duke marrë një vlerësim të lartë prej 8.2 nga SofaScore për paraqitjen më të mirë që ka pasur me Dinamon.
Pavarësisht fillimit të vështirë me minuta të pakta në kampionat, Hoxha arriti të ndryshojë rolin dhe ndikimin e tij në skuadër. Ai sjell energji, shpejtësi dhe vendosmëri në sulm, duke qenë lojtar i rëndësishëm në strategjinë e trajnerit.
Vetë ish-trajneri Sergej Jakirovic e quajti “raketë” për shkak të shpejtësisë dhe forcës që ofron në krahun e majtë. Verën e kaluar, Dinamo refuzoi një ofertë prej dy milionë eurosh nga Hull City për të dhe tani Hoxha po shpërblen besimin me paraqitje të shkëlqyera dhe rezultate pozitive. /ATVLIVE.TV