Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se angazhimi i Brukselit me Kosovën për dialogun me Serbinë ka qenë më i kufizuar muajt e fundit, pasi po pritet formimi i qeverisë së re në Prishtinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kusht thelbësor për të dyja vendet në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Ne jemi të përfshirë vazhdimisht me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse ende jemi në pritje të formimit të një qeverie të re. Por kjo mbetet një nga prioritetet e procesit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kos gjatë intervistës në Sarajevë.
Kosova dhe Serbia janë në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, por zbatimi i marrëveshjeve të arritura ka mbetur i pjesshëm. Që nga shtatori i vitit 2023, nuk është mbajtur asnjë rund politik i dialogut mes liderëve të dy vendeve, ndërsa takimet e fundit në nivel kryenegociatorësh nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, Kosova ende nuk ka formuar një ekzekutiv të ri dhe aktualisht po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë.
Marta Kos po zhvillon një vizitë treditore në Bosnje e Hercegovinë, ku ka takuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe të rinj. Në intervistë, ajo foli edhe për situatën në Republikën Sërpska, duke theksuar se ky entitet është i domosdoshëm për të ardhmen e Bosnje e Hercegovinës dhe se qytetarët e tij meritojnë perspektivë më të mirë.