Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka siguruar votat për formimin e qeverisë së re.
Kurti pasi përuroi Poliklinikën Specialistike në Podujevë nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se ka pasur ndonjë takim me liderët e partive parlamentare për të siguruar shumicën parlamentare.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Kësisoj deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur kryetarin, Dimal Basha si dhe katër nënkryetarë, por jo edhe nënkryetarin nga komuniteti serb. Përkundër kësaj, kryeparlamentari Basha ka mbyllur seancën konstituive.