spot_imgspot_img
spot_img

Koncepti i martesave po ndryshon për gjeneratat e reja

Në shoqëritë moderne, martesa po shihet gjithnjë e më pak si gur themeli i jetës në çift. Gjeneratat e reja shpesh zgjedhin të mos përcaktojnë marrëdhëniet e tyre me emërtime tradicionale, duke i lënë ato të paqarta dhe pa një përkushtim të qartë.

Në vendet e zhvilluara, shumica martohen vetëm pas të 30-ave, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh njerëzish zgjedhin të mos martohen fare. Kjo prirje sjell një dilemë të madhe: si ndikojnë këto marrëdhënie të pasigurta në formësimin e vetë çiftit dhe sidomos në rritjen e fëmijëve, të cilët shpesh bëhen pjesë e një realiteti ku dashuria dhe përgjegjësia nuk ecin paralelisht?

Pasiguria dhe dilemat e çifteve

Psikologu Dorjan Krasniqi thekson se çiftet në situata të tilla shpesh gjenden në një “mjegull paqartësie”.
“Pasoja më e zakonshme është se, ndërsa ata ende nuk kanë vendosur të jenë bashkëshortë, tashmë ndajnë një ‘short’ të përbashkët — fëmijën. Kjo sjell debate të forta: a duhet të martohen, a duhet të lindin jashtë martese, apo në disa raste të marrin parasysh edhe abortin. Çiftet ballafaqohen me shumë pikëpyetje që shpesh krijojnë tensione të thella”, thotë ai.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh është mungesa e vetëdijes për përgjegjësinë që sjell prindërimi.
“Jeta e fëmijës nuk është lojë. As prindërimi nuk është lojë. Martesa nuk është një gjë e thjeshtë”, shton Krasniqi, duke theksuar rëndësinë e kalimit me radhë të fazave të jetës, si mënyrë për të ruajtur shëndetin mendor dhe për t’u përgatitur për hapat e mëvonshëm.

Gratë dhe barra më e madhe

Në këtë realitet të ri, gratë mbeten ato që mbajnë barrën më të madhe. Sociologu Genc Xerxa, në një intervistë për Albanian Post, thekson se shtatzënitë dhe martesat e paplanifikuara ndikojnë drejtpërdrejt në mundësitë arsimore dhe profesionale të grave.

Sipas tij, shumë gra janë të detyruara të ndërpresin shkollimin për shkak të obligimeve të mëmësisë, gjë që ndikon negativisht në jetën sociale, kulturore dhe profesionale të tyre. Kjo shpesh i bën ato më të cenueshme në raport me burrat dhe i kufizon në rolin tradicional të amvisnisë.

Edhe raporti i Financial Times thekson se gratë që bëhen nëna shpesh përjetojnë një “penalizë të prindërimit”, me ulje të mundësive për avancim në karrierë dhe me rritje më të ngadalshme të pagës, veçanërisht në vitet e para pas lindjes.

Nevoja për edukim dhe përgjegjësi

Çdo vendim i nxituar, çdo presion kulturor apo çdo ngecje në rrugën e një çifti lë gjurmë të thella në jetën e grave dhe të fëmijëve të tyre.

Në një realitet ku martesa dhe marrëdhëniet po ndryshojnë rrënjësisht, shtatzënitë dhe martesat e paplanifikuara janë një sfidë që nxjerr në pah një të vërtetë të qartë: edukimi, mbështetja dhe përgjegjësia janë çelësi për një të ardhme të qëndrueshme.

Vetëm atëherë kur çiftet e kuptojnë rëndësinë e secilës fazë të jetës dhe përgatiten me ndërgjegje, mund të ndërtojnë marrëdhënie të forta, të shëndetshme dhe t’u ofrojnë fëmijëve një fillim të sigurt e të lumtur.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA