Huawei pritet të zbulojë këtë javë modelet më të reja të orëve inteligjente: serinë Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2. Rrjedhjet e fundit kanë hedhur dritë mbi dizajnin dhe specifikimet e tyre, duke ngjallur interes të madh te përdoruesit.
Njëri nga modelet do të vazhdojë trashëgiminë e vitit të kaluar me Huawei Watch Ultimate, duke sjellë një kasë të fortë dhe të përshtatshme për zhytje në thellësi. Ndërkohë që shumica e smartwatch-eve ofrojnë certifikim 5ATM (deri në 50 metra), Watch Ultimate ishte i pari nga Huawei me 10ATM, që lejon zhytje deri në 100 metra.
Modeli i ri pritet të vijë me bateri më të fuqishme, sensorë të rinj të vendosur në anën e djathtë të kutisë, si dhe me përmirësime të harduerit dhe softuerit – duke përfshirë gjurmim më të avancuar të shëndetit dhe monitorim të përmirësuar të stërvitjeve.
Orët do të ofrohen në dy ngjyra, të zezë dhe blu, me diametër 48.5mm. Megjithatë, ende mbetet për t’u parë nëse Watch Ultimate 2 do të ruajë kapacitetet e zhytjes deri në 100 metra dhe nëse seria Watch GT 6 do të sjellë gjithashtu kasa më rezistente ndaj ujit.