Në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, edhe kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës po prezantojnë programet e tyre përmes vizitave në terren dhe takimeve me qytetarë.
Në Prishtinë, kandidati i PDK-së, Uran Ismajli, përmes një video-incizim ka prezantuar projektet kryesore për Hajvalinë: Ndërtimin e një çerdheje të re, rindërtimin e Qendrës Kulturore dhe përmirësimin e Unazës me trotuare të sigurta, gjelbërim dhe park.
Në Kaçanik, Sabedin Vishi ka kërkuar besimin e qytetarëve duke u zotuar për një udhëheqje që është pranë njerëzve çdo ditë. Ai përmes sloganit #Mamirë#PërKaçanikun premton përkushtim dhe qeverisje të afërt me qytetarët.
Arian Tahiri, kandidati për kryetar të Mitrovicës, ka zhvilluar takime me biznese lokale duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komunës dhe sektorit privat. Ai ka përmendur zhvillimin profesional të të rinjve dhe mbështetjen për bujqësinë si prioritete të programit të tij.
Në Lipjan, Shukri Buja ka identifikuar problemet në transportin publik përmes një udhëtimi simbolik me autobus, ku ka premtuar ndërtimin e një stacioni të ri, lidhje të rregullta me fshatrat dhe transport falas për nxënësit.
Në Prizren, Shaqir Totaj ka theksuar potencialin turistik dhe historik të qytetit përmes një vizite me gazetarin shqiptar Blendi Fevziu. Ai ka theksuar rëndësinë e promovimit të vlerave kulturore për zhvillimin ekonomik dhe identitetin kombëtar.
Në Vushtrri, Ferit Idrizi ka vizituar objektin e ri të Kryqit të Kuq nga ku ka theksuar rëndësinë e përkrahjes për institucionet humanitare dhe ka premtuar përkushtim të vazhdueshëm për ofrimin e kushteve më të mira për qytetarët.