Sanksionet e Shteteve të Bashkuara karshi Kosovës pas situatës së tensionuar në veri të vendit, partitë opozitare po i vlerësojnë si jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën.
Për këtë po e akuzojnë kryeministrin Albin Kurti se po e shkatërron aleancën me aleatët ndërkombëtarë e veçmas me ShBA-në.
“Sot Albin Kurti ka zgjedhur të luftojë me aleatët ndërkombëtarë, kjo është e rrezikshme dhe nuk e ndihmon Kosovën”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Për këtë ata kërkuan që sa më parë kryeministri të raportojë në Kuvend.
“Kjo është e dëmshme, e papranueshme dhe karshi kësaj situate, ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Prandaj, t’i marrim përgjegjësitë në duart tona dhe angazhimin, në mënyrë që të arrijmë të sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar kjo qeveri dhe kryeministri Kurti”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Por veç kësaj, Kurtit po i kërkohet edhe dorëheqja.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon mocion mosbesimit për qeverinë Kurti.
“E kemi përgjegjësi politike, shtetërore, institucionale me i thanë qeverisë Kurti, me i thënë popullit të Kosovës se kjo është rrugë qorre dhe sa më shpejt që të ndalet, sa më shpejt që e forcon lidhjen me aleatët tanë, bashkërisht do të jetë më mirë”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
Këto deklarime u dhanë pas një mbledhje të shkurtër të Kryesisë, e cila dështoi të mbahet për mungesë kuorumi. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: