Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka krijuar një mekanizëm të ri bashkëpunimi me zyrën e TikTok-ut në Evropë, përmes të cilit qytetarët e Kosovës mund të paraqesin ankesa për përmbajtje në këtë platformë.
Ky bashkëpunim ka për qëllim adresimin e dy kategorive kryesore të shqetësimeve: përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale dhe shkeljet e standardeve mediale edhe jashtë periudhave zgjedhore.
Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, e bëri të ditur këtë marrëveshje gjatë intervistës në Përballje Podcast në Telegrafi.
“Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar me drejtorin e TikTok-ut për Evropë që çdo ankesë e adresuar përmes KPM-së të trajtohet direkt nga platforma. TikTok është zotuar që brenda 24 orëve të japë përgjigje për çdo rast,” tha Berisha.
Sipas tij, ky kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me TikTok-un siguron që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose me potencial për dëm të madh, të shqyrtohet shpejt dhe me prioritet.
“Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për ankesat e tyre. Pas pranimit nga KPM, çdo ankesë i përcillet TikTok-ut, i cili brenda 24 orëve merr vendim për përmbajtjen,” theksoi Berisha.