Gjykata Kushtetuese ka refuzuar si të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.
Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës dhe as akt i Qeverisë, por një akt nënligjor komunal, i cili nuk hyn në fushën e kompetencës së saj.
Megjithatë, me autorizim të kryetarit Rama, Zyra Ligjore e Komunës kishte vendosur që nga shkurti 2025 të mos e zbatojë këtë rregullore. Si rezultat, faturat e mbeturinave janë arkëtuar drejtpërdrejt nga Komuna e Prishtinës, ndërsa shërbimi i grumbullimit është deleguar tek gjashtë kompani private.
Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar rregulloren si të ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka urdhëruar Komunën që të kthejë kompanisë publike “Pastrimi” të hyrat e mbledhura për gjashtë muaj.
Vendimi i Kushtetueses e konsolidon pozitën e “Pastrimit” si operator publik në këtë sektor, por njëkohësisht mban të hapur debatin politik e juridik mbi mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar një shërbim thelbësor për qytetarët.
Burime brenda “Pastrimit” konfirmojnë se edhe këtë muaj pagat e punëtorëve janë shpërndarë me vonesë, për shkak të mosshlyerjes së borxhit prej 2.5 milionë eurosh nga ana e Komunës së Prishtinës.