Në Zveçan u nisën për të raportuar për protestat e qytetarëve serbë, por veturës së ekipit të ATV-së me qëllim të pengimit të raportimit iu shpërthyen gomat.
Përveç ATV-së, protestuesit serbë sulmuan edhe me plumba ekipe të shumë mediave të tjera, qoftë nga Kosova qoftë të huaja.
Për sulmet e vazhdueshme dhe të ashpra ndaj gazetarëve, shqetësim ka shprehur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Jemi absolutisht të alarmuar me nivelin e sulmeve ndaj gazetarëve, ekipeve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në tri komunat në veri të vendit. Situata është absolutisht alarmante dhe shqetësuese pasi që gjatë ditës së sotme dhe të djeshme një numër i madh i sulmeve ka ndodhur”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Rexha madje tha se forcat e sigurisë nuk janë duke u ofruar siguri gazetarëve.
“Fatkeqësisht asnjë organ i sigurisë që është i thirrur për të bërë, nuk po bën mjaftueshëm, nuk po bën në fakt as minimumin për të ofruar siguri te gazetarët. Gazetarët të gjithë që shkojnë atje, janë në mëshirën e gjindshmërisë së tyre, për t’iu ikur këtyre sulmeve”, tha ai.
Përveç AGK-së, për siguri për gazetarët kërkuan edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
“Gazetarët janë sulmuar dhe automjetet e transmetuesve mediatikë janë vandalizuar në veri të Kosovës. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve t’i mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë se ata mund të raportojnë në mënyrë të sigurt”, thuhet në reagimin nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Për shkak të situatës në veri, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve.
Ndërsa, gazetarëve u është kërkuar që t’u përmbahen instruksioneve të Policisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: