Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po përgatisin zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, të nënshkruar më 18 mars në Tiranë. Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe ekspertësh po punojnë për planin e zbatimit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha për REL se më 18 korrik në Tiranë “është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta zbërthyer planin në nivel operacional”. Nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë thanë se në shtator do t’u paraqitet për miratim tri ministrive udhëzuesi që është drejt finalizimit.
Deklarata, e nënshkruar nga Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ai i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcakton katër pika: promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë përkatëse; rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride dhe rritjen e qëndrueshmërisë; si dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik.
Pika e parë lidhet me blerjen e përbashkët të armatimit. “Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje… sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, tha Maqedonci për REL, duke sqaruar se fondet do të jenë kombëtare nga secili shtet.
Ai shtoi se pret ndihmë nga partnerët për integrimin euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Qeveria kroate ka thënë më herët për REL se nismës mund t’i bashkohen edhe vende të tjera dhe se “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake” dhe se “një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”.
Maqedonci tha se në tetor, në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A5), “do t’u kërkohet partnerëve rajonalë të bashkohen”. Marrëveshja parasheh edhe stërvitje të përbashkëta, bashkëpunim në rekrutim dhe edukim ushtarak, si dhe masa kundër kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimet kibernetike dhe dezinformimin.
Sipas Maqedoncit, marrëveshja “u mirëprit në Pentagon” dhe nga shumë shtete të NATO-s. Serbia ka kundërshtuar, me presidentin Aleksandar Vuçiq që tha se po shkelet marrëveshja nënrajonale e vitit 1996 për kuotat e armatimit. Pas nënshkrimit, Serbia dhe Hungaria forcuan bashkëpunimin strategjik në mbrojtje, që sipas Vuçiqit “mund të çojë në krijimin e një aleance ushtarake” mes dy vendeve.