Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngre aktakuzë ndaj dy personave, N.M. dhe P.I., për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Mashtrimi”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit në mënyrë të vazhdueshme dhe pa kualifikime profesionale kanë ofruar trajtime mjekësore në ordinancën “B. M.” në Vushtrri.
Ata pretendonin se shëronin sëmundje të ndryshme përmes tabletave, çajrave dhe ujit të cilit nuk i plotësonte standardet për konsum njerëzor, duke mashtruar qytetarët për përfitime financiare. Për një “kontroll” mjekësor kërkonin 100 euro, ndërsa për terapi deri në 30 euro, duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore dhe emocionale të pacientëve.
Aktivitetet e tyre promovoheshin edhe në rrjetet sociale.
Prokuroria ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me të pandehurit, të cilët kanë pranuar veprat penale.
Marrëveshja parashikon dënim me gjobë dhe burgim, i cili do të zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë totale prej 70 mijë euro, sipas njoftimit.