Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se takimi i tij të martën vonë me presidentin amerikan, Donald Trump, është përqendruar kryesisht në çështjen e lirimit të pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës nga Hamasi.
Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Netanyahu theksoi gjithashtu vendosmërinë e tij për të “eliminuar” aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit, duke lënë të kuptohet se operacionet ushtarake në enklavën palestineze nuk janë drejt përfundimit.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar edhe për ndikimin dhe mundësitë që ka krijuar ajo që e cilësoi si një “fitore e madhe e arritur ndaj Iranit”, pas një fushate ajrore muajin e kaluar, në të cilën Shtetet e Bashkuara iu bashkuan sulmeve izraelite ndaj vendndodhjeve të dyshuara bërthamore të Republikës Islamike.
Ky është takimi i tretë i Netanyahut në SHBA që nga marrja e detyrës nga presidenti Trump më 20 janar. Kryeministri izraelit u shpreh më herët për gazetarët se, edhe pse fushata ushtarake në Gaza nuk ka përfunduar ende, “negociatorët sigurisht po punojnë” për një marrëveshje armëpushimi.
Trumpi e ka pritur Netanyahun për herë të dytë brenda dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se Izraeli dhe Hamasi po i afroheshin një marrëveshjeje armëpushimi pas gati dy vitesh lufte intensive.