Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 2 Korrikun e vitit 1990 si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.
Përmes një postimi nga Presidenca në Facebook, Osmani ka vlerësuar lart rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese, e cila u shpall 34 vite më parë nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, para dyerve të mbyllura me forcë nga regjimi i atëhershëm serb.
“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.”
Postimi i plotë:
Presidentja: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës
2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës
Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.
Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.
Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.
Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane.