Që nga mëngjesi vazhdon bllokimi i hyrjes në komunën e Zveçanit, pasi që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë kanë dalë në protestë për të parandaluar ose kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri të zgjedhur shqiptar, Ilir Peci.
Gjatë gjithë mëngjesit, pjesëtarët e KFOR-it kanë krijuar një kordon për të ndaluar protestuesit serbë të afrohen objektit të komunës.
Për më shumë se një orë, komandanti i njësisë së KFOR-it ka qenë duke biseduar me udhëheqësit e kësaj proteste, që në fakt janë pjesëtarë të Listës Serbe, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe dhe Igor Simiç, nënkryetar i kësaj liste, raporton ATV.
Ata po bisedojnë me ta në përpjekje për të gjetur një kompromis, pasi ka dy autoblinda të policisë që janë mbetur mes turmës dhe deri para pak çastesh ka qenë edhe një makinë e KFOR-it. KFOR-i ka kërkuar largimin e këtyre mjeteve për shkak të rrezikut për sigurinë e policisë.
Protestuesit kanë ngjitur flamurin e Serbisë në autoblindën e Policisë së Kosovës, ndërsa në makinën e KFOR-it kanë vendosur shkronjën “Z”, simbol i agresionit rus.
Çdo kërkesë e KFOR-it është refuzuar nga qytetarët serbë, prandaj komandanti i njësisë së KFOR-it është detyruar të bisedojë me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Kërkesa e tyre specifike ka qenë që policia e Kosovës të largohet nga kjo zonë.
“Nëse jeni këtu për të sjellë paqe, atëherë hiqni Policinë e Kosovës, sepse qytetarët serbë ndihen të rrezikuar”, ishte kërkesa e Listës Serbe drejtuar KFOR-it. /atvlive.tv