Austria është në zi pas një sulmi të rëndë në qytetin Grac, pasi një 21-vjeçar i armatosur vrau 10 persona në ish-shkollën e tij të mesme. Pas sulmit tragjik të së martës, ai vrau edhe veten.
Autoritetet austriake po hetojnë intensivisht për të zbuluar motivin e këtij akti. Në mesin e viktimave është konfirmuar edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova. Motivi i sulmit ende mbetet mister, pasi që letra lamtumirëse që la sulmuesi, nuk e zbuloi arsyen.
Po ashtu, policia nuk i ka konfirmuar raportimet se ai mund të ketë qenë viktimë e bullizmit.
Kjo ngjarje ka tronditur Austrinë, e cila ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Në shenjë solidarizimi, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor të Gracit, duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në nderim të viktimave. /atvlive.tv