Sot shënohet 28 Maji, Dita Botërore e Higjienës Menstruale, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës bën të ditur se ka dërguar te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve rekomandimet përmes së cilave ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind në produktet menstruale.
Higjiena menstruale përfshin të gjitha praktikat që ndihmojnë vajzat dhe gratë të kujdesen për trupin e tyre gjatë ciklit menstrual. Kjo përfshin përdorimin e produkteve të pastra dhe të sigurta si pecetat higjienike, tamponët ose kupat menstruale, ndërrimin e tyre me rregullsi, si dhe larjen e zonës intime me ujë të pastër dhe sapun të butë.
RrGK ka përsëritur se kjo taksë është diskriminuese dhe barrë shtesë për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe pengesë drejt realizimit të së drejtës së tyre për kujdes të përballueshëm shëndetësor.
Aktualisht produktet e higjienës për ciklin menstrual tatohen në Kosovë për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.
Megjithatë është e rëndësishme të dimë edhe anën shëndetësor se mungesa e higjienës menstruale mund të çojë në infeksione serioze, siklet fizik dhe emocional, si dhe në mungesa në shkollë apo punë për shumë vajza. Për më tepër, në shumë vende ende ekzistojnë tabu dhe turp i panevojshëm rreth kësaj teme, çka e bën edhe më të vështirë kujdesin e duhur.
Në disa kultura, gratë ndalohen të hyjnë në kuzhinë ose në vende të shenjta gjatë menstruacioneve, për shkak të besimeve tradicionale. Megjithatë, këto besime nuk kanë bazë shkencore dhe shpesh çojnë në izolim të padrejtë të vajzave dhe grave.
Sot ekzistojnë shumë alternativa për menaxhimin e menstruacioneve: nga pecetat njëpërdorimshe, tamponët, kupa menstruale e deri te pecetat e ripërdorshme me materiale natyrale. Kupa menstruale është një zgjedhje ekologjike dhe ekonomike, pasi mund të përdoret për disa vite.
Shumë vajza ndihen të turpëruara ose të frikësuara kur përjetojnë menstruacionet për herë të parë, shpesh nga mungesa e informacionit. Edukimi në familje dhe në shkolla është jetik për t’u dhënë vajzave vetëbesim dhe njohuritë e duhura për të kujdesur për veten.
Gjatë gjithë jetës, një grua mesatarisht kalon rreth 7 vite në menstruacione në total. Kjo tregon sa e rëndësishme është që shëndeti dhe mirëqenia gjatë kësaj periudhe të merren seriozisht dhe të mos trajtohen si temë tabu.