Kryediplomati evropian, Josep Borrell është deklaruar pas bisedës që ka zhvilluar me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ai tha se bashkë me shefin e NATO-s pajtohen që Prishtina zyrtare duhet të de-përshkallëzojë dhe mos të marrë hapa të njëanshëm që sipas tij, janë destabilizues.
“Fola me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës. Ne pajtohemi që Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues”, shkroi diplomati spanjoll në Twitter.
Ai tha se e vlerëson koordinimin e mirë të vazhdueshëm ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it “në sigurimin e një mjedisi të sigurt”.
Spoke to @NATO SG @jensstoltenberg about the situation in north of Kosovo. We agree that Pristina must de-escalate and not take unilateral, destabilising steps. Appreciate the continuous good coordination between @EULEXKosovo and @NATO_KFOR in ensuring a safe & secure environment
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 28, 2023
Njësoj si Borrelli, edhe Stoltenberg ka kërkuar nga Prishtina që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.
“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.
Të premten, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Megjithatë, tensione u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës.
Për këto zhvillime, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë qortuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo është “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj në veri.
Por, Qeveria Kurti e ka mbrojtur këtë vendim duke deklaruar se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.