Sot në Kosovë do të mbajë mot, kryesisht i vranët gjatë orëve të paradites, kur priten reshje lokale shiu, herë pas here në formë rrebeshesh. Reshjet do të jenë më të theksuara në jug, juglindje dhe lindje të vendit, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Në zonat e larta malore, reshjet do të jenë në formë bore.
Megjithatë, pasdite parashikohet një përmirësim i kushteve atmosferike, me ndërprerje të reshjeve dhe kthjellime të pjesshme, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit.
Era do të fryjë nga veriu dhe herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi që do të variojë nga 15 deri në 43 kilometra në orë.
Temperaturat do të shënojnë një rritje graduale. Vlerat minimale do të jenë ndërmjet 7 dhe 10°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 13 deri në 18°C, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.