Një projektligj masiv për taksat dhe shpenzimet sapo është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson i siguroi Presidentit Donald Trump një nga fitoret më të rëndësishme politike deri tani, duke arritur të bashkojë një parti republikane të thellësisht të përçarë për të miratuar një projektligj të rëndësishëm për taksat dhe shpenzimet.
Projektligji gjithëpërfshirës, që përfshin zgjatjen e lehtësirave tatimore të vitit 2017 dhe eliminimin e taksave mbi bakshishet dhe pagën për orët shtesë, u miratua në një kohë kur vetëm disa ditë më parë dukej se do të dështonte. Për më tepër, projektligji parashikon miliarda dollarë për forcimin e sigurisë kufitare dhe përshkallëzon luftën ndaj imigracionit të paligjshëm – një tjetër premtim kyç i fushatës së Trump, transmeton RTSH.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson,e quan projektligjin një legjislacion gjeneracional që formëson kombin.
Në një deklaratë të publikuar pas miratimit të projektligjit, ai shkroi: “Media dhe demokratët kanë hedhur poshtë vazhdimisht çdo mundësi që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të kenë sukses në misionin tonë për të zbatuar axhendën “Amerika e Para” të Presidentit Trump.”
Johnson shton se Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan kundër projektligjit, duke sugjeruar se kjo vërteton se ata duan gjëra të tilla si “rritja e taksave” dhe “kufijtë e hapur”.
“Ne presim me padurim shqyrtimin në kohë të Senatit të këtij legjislacioni që vjen vetëm një herë në një brez dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë punën tonë së bashku për t’ia dorëzuar presidentit Projektligjin “Një të Madh dhe të Bukur”, shkroi ai.
Duke e quajtur projektligjin “Mashtrimi Tatimor i Partisë Republikane”, demokratët janë zotuar të përdorin “çdo mjet në dispozicion” për ta luftuar atë.
Roli i Trump ishte vendimtar në këtë proces. Ai zhvilloi disa takime me ligjvënës republikanë gjatë javës, duke i nxitur fuqishëm të mbështesin axhendën e tij fiskale dhe politike. Kjo përfshirje e drejtpërdrejtë ndihmoi në kapërcimin e kundërshtimeve të forta brenda partisë.
Megjithatë, fati i projektligjit në Senat mbetet i paqartë. Edhe pse republikanët kanë shprehur mbështetje të përgjithshme, priten ndryshime që mund të rrezikojnë konsensusin e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Johnson dhe Trump i kanë bërë thirrje Senatit që të veprojë shpejt, me synimin që projektligji të bëhet ligj përpara 4 korrikut.
Në fund, Johnson arriti të humbiste vetëm tre vota republikane – një sukses që, për shkak të përçarjeve të brendshme, konsiderohet një arritje politike e madhe.