Kallas: Së shpejti do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe njëherësh nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një konference për media në Beograd ka theksuar se është e rëndësishme të tejkalohet e kaluara dhe se planifikon së shpejti të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të biseduar rreth marrëdhënieve dhe vazhdimit të dialogut.

“Gjatë vizitës u takova me presidentin Vuçiq, kryeministrin Macuta, kryetaren e parlamentit, partitë opozitare dhe përfaqësuesit e rinisë. Qëndrimet janë të ndryshme, por të gjithë jemi dakord për rrugën evropiane të Serbisë, nevojën për reforma dhe dialogun me Kosovën. Do të nis me zgjerimin e BE-së. Jemi thellësisht të përkushtuar që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë momentin për zgjerim. Ky proces ka zgjatur një kohë të gjatë, por gjithmonë ekziston një moment politik – dhe ai është tani. Evropa e bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë së bashku”, ka thënë Kallas, transmeton Paparaci.

Ajo ka shtuar se duhet të shihen veprime konkrete, që kjo të vërtetohet.

“Nuk ka rrugë të shkurtër. Duhet të shohim reforma të qarta për të ecur drejt anëtarësimit. Hapat e ardhshëm janë të qartë – përfshirë lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit, reformat zgjedhore – dhe ato duhet të jenë reale, jo vetëm për të përmbushur detyrime në letër. Këto reforma do t’u mundësojnë qytetarëve të Serbisë të përfitojnë dhe përputhen me atë që kërkojnë qindra mijëra protestues – autonomia e universiteteve duhet të respektohet”, ka theksuar ajo.

Ajo ka shtuar se duhet të tejkalohet e kaluara dhe duhet të punohet për një të ardhme të përbashkët. Prandaj, ajo tha se së shpejti planifikon të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Në bisedat tona folëm edhe për kufijtë, çështje që janë shqetësim evropian. Serbia është përballë një zgjedhjeje strategjike se ku dëshiron të jetë, por duhet të flasim edhe për vlerat. Folëm për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjin më të afërt dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – këto nuk janë vetëm marrëdhënie dypalëshe, por janë të rëndësishme për tejkalimin e të kaluarës dhe përqendrimin në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj të ftoj përfaqësuesit nga Serbia dhe Kosova në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar për marrëdhëniet dhe dialogun. Theksova edhe rëndësinë e situatës në Bosnje e Hercegovinë, pasi nga kjo varet paqja në rajon”, ka shtuar Kallas, përcjell Paparaci.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, ajo tha se pas vizitës në Beograd do të udhëtojë në Kosovë për të biseduar për të gjitha problemet që ekzistojnë mes palëve.

Ajo ka theksuar se në dialog tani është një përfaqësues i ri special që do të punojë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam e re në këtë proces dhe ende nuk mund të jap vlerësime se çfarë funksionon e çfarë jo, por është e rëndësishme që do të punojmë për këtë”, ka deklaruar ajo.

E pyetur për vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, Kallas tha se për këtë çështje ka folur me të që në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

“Për vizitën në Moskë kam folur me presidentin Vuçiq që në Tiranë dhe i thashë se nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrohet krah për krah me një njeri që kryen krime në Ukrainë. Presidenti Vuçiq e sqaroi qëndrimin e tij dhe patëm një diskutim shumë intensiv për këtë. Folëm edhe me qeverinë e Serbisë për këtë temë, ne presim që vendet kandidate të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian. Nëse doni të jeni pjesë e BE-së, atëherë duhet të punojmë së bashku dhe të jemi të bashkuar”, ka theksuar Kallas.

Gjatë vizitës dyditore në Serbi, Kallas u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macuta, ministrin e jashtëm Marko Gjuriq dhe kryetaren e parlamentit Ana Bërnabiq.

Pas vizitës në Beograd, Kallas sot do të vjen në Prishtinë, ndërsa të premten do të vizitojë Shkupin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA