Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Bëhet fjalë për E.K, dhe V.H të cilët dyshohen për të dy veprat penale, dhe për A.H, dhe A.H të cilët dyshohen për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., me datë 29.01.2025 rreth orës 01:57 minuta në Prizren, në rrugën ‘Tranziti i Ri’, në hapësirat e parkingut të njërës prej pikave të karburantit, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit V.H, A.H. dhe A.H, dhe me atë rast kanë vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit F.T”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
“I njëjti, pas një mosmarrëveshje paraprake e cila kishte ndodhur me datë 28.01.2025 rreth orës 23:00min në afërsi të lokalit të të dëmtuarit F.T., në mes të pandehurit E.K dhe dëshmitarit Gj.Sh., në një anë dhe të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe F.T., në anën tjetër, në momentin kur i pandehuri E.K.,dhe dëshmitari Gj.Sh., arrinë me automjet tek pika e karburantit, vërejnë se aty ishte duke i pritur i dëmtuari V.H., i afrohen të njëjtit, bëjnë me gjeste në drejtim të të dëmtuarve A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., që të vijnë në afërsi të tyre, e më këtë rast dëshmitari F.H., arrin te kjo pompë e derivateve dhe takohet rastësisht me ta, kur aty vijnë edhe të dëmtuarit A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., i pandehuri E.K., nxjerrë nga brezi pistoletën e tipit “TT”, fillon të tërhiqet prapa dhe në një distancë nga 1-2 metra, shtie në drejtim të të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe A.H.(2), me ç’ rast nga të shtënat, të dëmtuarit A.H.(1), dhe A.H.(2), marrin plagë të rënda, njëkohësisht i rrezikohet jeta edhe të dëmtuarit F.T”, thuhet tutje në njoftim.
Me këto veprime, E.K., ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” e mbetur në tentativë.
Po ashtu, i pandehuri E.K., deri me datë 12.02.2025 në Prizren ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën.
“I pandehuri V.H., në vend dhe kohë të njëjtë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin E.K. I njëjti, në momentin kur vëren se nga të shtënat që kishte shkrepur E.K., goditet i dëmtuari A.H.(1), dhe A.H.(2), nxjerrë pistoletën e tij të llojit “Sig Sauer” 9x19mm dhe shtie disa herë në drejtim të të dëmtuarit E.K”, thuhet në njoftim.
I pandehuri A.H. deri me datë 29.01.2025 në Prizren ka mbajtur në pronësi dhe posedim një pistoletë.
Po ashtu, në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H e nxjerrë armën nga brezi dhe me të njëjtën ka shkrepur gjashtë herë.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së.
“I pandehuri A.H.(2), deri me datë 29.01.2025 në Prizren, në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën, një pistoletë e llojit “TT” me 7 fishekë në karikator, të cilën armë e ka mbajt në brez në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H.(2), e nxjerrë armën nga brezi dhe në momentin kur rrëzohet për toke shkrepë armën njëherë”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./KosovaPress