Dje në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është bërë promovimi i librit nga profesori i Fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku.
Në promovim morën pjesë kolegët, miqtë dhe të afërmit e profesorit Telaku, të cilët uruan atë për këtë ngjarje.
Në fjalën hyrëse të tij, poeti i njohur dhe njëherazi profesori Lulzim Tafa, ndau përshtypjet e tij mbi librin, ndërsa tha se e rekomandon të lexohet për shkak të peshës që ka në fushën e psikologjisë.
Në një panel të përbërë nga psikologu Fitim Uka, profesorët Xhavit Rexhaj dhe Fadil Hysaj, libri “Aetos” mori komente tejet pozitive dhe vlerësime të larta. Ata thanë se libri shërben si një udhëzues për ta njohur mendjen dhe veten tonë, andaj temat që trajtohen i përkasin përditshmërisë dhe kjo e bën edhe më të veçantë.
Autori i librit “Aetos”, profesori Naim Telaku, falënderoi të gjithë të pranishmit ndërsa tha se shpreson që libri të ketë ndikimin e duhur kudo në shoqëri dhe tek të gjithë lexuesit.